Ja si ta përgatisni në shtëpi ëmbëlsirën e Krishtlindjes
Përbërësit:
500 gr miell ECO
160 gr sheqer ECO
160 gr gjalpë
7 kokrra vezë (të mëdha, 4 të plota dhe 3 të verdha)
16 ml qumësht
12 gr maja
1 lugë e vogël mjaltë
5 gr kripë
120 gr rrush i thatë
2 bustina vanilje
80 gr portokall (copa)
1 kokërr lëkurë limoni
Përgatitja:
Majanë e birrës e shkrijmë në qumësht të ngrohtë dhe ia shtojmë masës së miellit që e kemi vendosur në një enë të thellë (100 g). E punojmë derisa të krijohet një masë brumi, i cili nuk na ngjit më në duar.
Brumin e përgatitur e mbështjellim me një letër kuzhine dhe e vendosim në mikrovalë në temperaturën 30 gradë celsius, derisa brumi të dyfishojë përmasat e tij. Kohëzgjatja në mikrovalë nuk do të jetë më shumë se 1 orë.
Pasi brumi ka arritur përmasën e krijuar, i hedhim 180 g miell ECO, 2 g maja birre, 2 vezë të plota, 60 g gjalpë në temperaturë ambienti dhe 60 g sheqer. Brumin e krijuar e punojmë sërish. Në punim e sipër shtojmë sheqerin dhe gjalpin.
Ndjekim të njëjtën procedurë si me brumin e parë, vetëm se kësaj radhe do ta lëmë në mikrovalë me temperaturën 30 gradë celsius për rreth 2 orë.
Brumin e krijuar më sipër e nxjerrim nga mikrovala dhe i shtojmë 220 g miell ECO, 100 g sheqer, 2 vezë të plota dhe 3 të verdha, 5 g kripë, 100 g gjalpë në temperaturë ambienti, lëkurën e 1 limoni, portokallet e veshura me sheqer, rrushin e thatë dhe bustinat e vaniljes.
Shtojmë gjithashtu sheqerin, kripën dhe kur të gjithë përbërësit të jenë “përthithur” nga masa, shtojmë gjalpin në temperaturë ambienti dhe më pas frutat e sheqerosura, lëkurën e limonit dhe rrushin e thatë.
E lëmë të vijë në temperaturë 30° celsius në një enë të thellë të mbuluar me letër kuzhine, derisa të ketë dyfishuar volumin e tij për dy orë.
Kur brumi të jetë fryrë plotësisht, e heqim nga tasi dhe e punojmë për disa minuta me duar.
Një enë tipike ëmbëlsirash e lyejmë me gjalpë, vendosim në të masën e krijuar dhe e lëmë sërish të dyfishojë vëllimin për rreth dy orë. Kësaj radhe jo në mikrovalë. E fusim në furrë 10-15 minuta në temperaturën 200 gradë celsius. E nxjerrim nga furra dhe e spërkasim me pak ujë që të mos thahet. E vendosim sërish në furrë për 10-15 minuta në temperaturën 180 gradë celsius.
Herë pas here e nxjerrim nga furra dhe e spërkatim me ujë që të mos thahet. Procesi i pjekjes së panetone-s zgjat 1 orë. E nxjerrim nga furra dhe e lëmë të ftohet.